Vrima e Nuses

Ndodhet në Kanionin e Osumit, 800 m në afërsi të fshatit Bigaz dhe është një zgavër apo një shpellë karstike në formën e një galerie me gjatësi 7–8 m dhe diametër rreth 2m. Ky vënd ka një histori të veçantë; Një nuse po martohej pa dëshirën e saj, sepse ishte e detyruar të zbatonte zakonin e vjetër. Krushqit po ktheheshin me nusen që kishin marrë në fshatin e tyre. Kur arritën këtu (tek ky vend) nusja u thotë atyre se “po e çonin tek burri pa dëshirën e saj”, por krushqit nuk i dhanë përgjigje. Ndaj ajo e mendoi vet planin e ikjes.

Duke iu lutur zotit, i drejtohet shkëmbit të kanionit: “Hapu, o shkëmb që të shpëtoj nga sikleti që më ka zënë”. Shkëmbi e dëgjoi, dhe menjëherë u hap një vrimë “zgavër”. Nusja u hodh nga kali dhe u fsheh në këtë vrimë. Krushqit u kthyen në fshat pa të.

Më vonë, ky vënd u quajt Vrima e Nuses dhe nisi të vizitohej nga nuse të reja të cilat kërkonin të bëheshin me fëmijë. Ato hynin në galerinë shkëmbore me rroba të veshura së prapthi. Brënda zhvishnin këto rroba, i vishnin në anën e mbarë dhe ktheheshin në shtëpi të qetësuara se dëshira e tyre do të realizohej.